Mediat greke raportojnë se një shqiptar i identifikuar si Dhimitër Meçi, me nofkën “Dhimo” është plagosur me thikë pasditen e së enjtes, menjëherë pas transferimit të tij në burgun e Malandrinos.
Sipas të njëjtave burime i plagosuri është një nga vrasësit famëkeqë të mafias greke të Athinës dhe konsiderohet “truri” i atentatit të mbetur në tentativë ndaj mafiozit grek Yannis Lalas në maj 2025, kur makina e këtij të fundit u godit nga dhjetëra plumba nga një kallashnikov.

Lalas arriti të shpëtojë falë makinës së blinduar që po drejtonte. Pavarësisht se i shpëtoi atentatit ai u ekzekutua më pas në nëntor, ngjarje për të cilën janë arrestuar 4 persona, rusë dhe grekë.
“Kathimerini” shkruan se Meçi mbante gjithashtu marrëdhënie shumë të ngushta me Panagiotis Vlastos, një figurë kryesore në të ashtuquajturën “Mafia Greke”.
Pas arrestimit, ai u mbajt në repartin psikiatrik të burgut të Korydallos ku iu nënshtrua ekzaminimeve nga specialistët. Këtë të enjte, ishte planifikuar transferimi i tij në burgun e Malandrinos, por para se të mbërrinte në qëlinë ku do të mbahej, ai u sulmua me një thikë të improvizuar nga një i burgosur.
Thuhet se 45-vjeçari u plagos rëndë nga sulmi, por jeta e tij nuk është në rrezik. Autori i krimit, një grek i akuzuar për pjesëmarrje në një organizatë kriminale dhe që punonte në mensën e burgut, u arrestua menjëherë.
“Kathimerini” shkruan se vrasësi shqiptar me pagesë është arrestuar dhjetëra herë për ekzekutime, tentativa vrasjeje, zhvatje dhe grabitje.
