Rezervat valutore të Bankës së Shqipërisë kanë arritur në nivelet më të larta historike, duke kapur vlerën e 7.3 miliardë eurove në fund të dhjetorit 2025. Të dhënat zyrtare tregojnë se, krahasuar me fillimin e vitit 2024, kur totali i rezervës ishte 5.6 miliardë euro, rritja ka qenë me më shumë se 30 për qind.
Në përbërjen e rezervave vërehet një shtim i dukshëm i arit, i cili ka arritur në 430 milionë euro, nga vetëm 204 milionë në fillim të periudhës së raportimit.
Po ç’domethënie ka kjo? Kjo rritje reflekton politikën e diversifikimit të aktiveve dhe ruajtjes së sigurisë përballë luhatjeve në tregjet ndërkombëtare.
Rritja e rezervave valutore dhe veçanërisht dyfishimi i rezervës së arit monetar reflekton një strategji të kujdesshme të Bankës së Shqipërisë për diversifikimin e aktiveve dhe mbrojtjen ndaj rreziqeve globale. Ari konsiderohet aset strehë në periudha pasigurie financiare, inflacioni dhe tensione gjeopolitike, ndaj rritja e tij synon të ulë varësinë nga valutat dhe tregjet financiare. Paralelisht, zhvendosja nga letrat me vlerë dhe depozitat valutore tregon orientimin drejt instrumenteve më të sigurta dhe më pak të ekspozuara ndaj luhatjeve të normave të interesit dhe tregjeve. Forcimi i rezervave valutore rrit aftësinë e bankës qendrore për të stabilizuar kursin e këmbimit, për të përballuar goditje të jashtme dhe për të garantuar mbulimin e importeve dhe detyrimeve të jashtme, duke vepruar si një “jastëk financiar” për ekonominë shqiptare, shpjegon .
Struktura e rezervave tregon gjithashtu një zhvendosje. Letrat me vlerë kanë rënë nga 65.9 miliardë lekë në nëntor 2024 në 58.9 miliardë lekë në nëntor 2025, ndërsa depozitat valutore kanë zbritur nga 127.3 miliardë lekë në 89.6 miliardë lekë.
