Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, drejtoi mbledhjen e parë të Këshillit Kombëtar të Punës për vitin 2026, njëkohësisht edhe mbledhjen e parë të Këshillit të rikonstituar me mandatin e ri.
Gjatë fjalës së saj ministrja Ibrahimaj u ndal në diskutimin e disa problematikave që pritet të adresohen për sektorin e punësimit, përfshirë plotësimin e vakancës së fuqisë punëtore, rritjen e vazhdueshme të pagës minimale dhe ndryshimet në Kodin e Punës.
Lexo më tej: Ç’është përpjekja për marrëveshje me Indonezinë për të sjellë punonjës në Shqipëri
“Kjo mbledhje ka për synim që të vendosë funksionimin korrekt të Këshillit Kombëtar të Punës për vitin 2026, të forcojë dialogun për çështjet prioritare, për reformat në punësim, në siguri në punë dhe të tregut të punës, duke krijuar një proces bashkëpunimi të qëndrueshëm mes qeverisë, punëdhënësve dhe punëmarrësve, si dhe për përmirësimin e politikave aktive të punësimit në përputhje me standardet europiane dhe nevojat reale të tregut të punës.
Përveç atyre që do të diskutohen sot, në fakt, viti 2026 është një vit, i cili do të jetë i mbushur me ndryshime ligjore të lidhura me tregun e punës.
Ne, në kuadër të gjithë procesit të anëtarësimit dhe të integrimit në Bashkimin Europian, kemi disa detyra të rëndësishme në ndryshimin e legjislacionit, duke filluar nga Kodi i Punës dhe të gjithë legjislacionin poshtë kodit.
Ndaj, besoj se do të jetë një vit intensiv, ku do të duhet të diskutojmë bashkërisht për përafrimin e direktivave, për rishikimin e legjislacionit, por edhe për të gjithë periudhat tranzitore që do të kërkojmë me qëllim zbatimin me efektivitet të të gjithë legjislacionit europian në fushën e punësimit dhe të aftësimit.
Ministrja Ibrahimaj u ndal edhe çështja e mungesës së fuqisë punëtore dhe adresimi i problematikës.
“Në pikën e tretë do të diskutohet për mungesën e fuqisë punëtore dhe migracionit, siç jeni në dijeni qeveria shqiptare ka një politikë për migracionin, ka një strategji kombëtare për migracionin e cila ka të parashikuar një sërë masash.
Ndërkohë që sigurisht adresimi i mungesës së fuqisë punëtore, por edhe i fuqisë punëtore të kualifikuar do të jetë pjesë e diskutimeve të ditës së sotme, ku në fakt qeveria shqiptare ka ndërmarrë masa të rëndësishme me qëllim kualifikimin e fuqisë punëtore, por edhe me qëllim plotësimin e nevojave për fuqi punëtore edhe nëpërmjet marrëveshjeve që ne jemi duke nënshkruar me vendet të treta”.
Nga 1 janari 2026 ka hyrë në fuqi paga e re minimale nga 40 mijë lekë në 50 mijë lekë.
Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit Delina Ibrahimaj nënvizoi se politika për rritjen e pagës minimale do të vazhdojë deri sa të arrijë sa 60% e pagës mesatare.
“Në fakt, paga minimale, siç jeni bërë me dije, ka hyrë në fuqi rritja e pagës minimale dhe në programin e qeverisë parashikohet që do të ketë një rritje të mëtejshme të pagës minimale përgjatë katërvjeçarit të ardhshëm, me qëllim që të vendosim atë limitin, që punonjësit të kenë një pagë sa më afër nevojave të tyre, por gjithashtu për të shkuar drejt standardit të Bashkimit Europian, i cili parashikon që paga minimale duhet të jetë minimalisht 60% e pagës mesatare në nivel vendi.
Në këtë pikë, sigurisht do të diskutohet dhe për reformën e pensioneve.
Ne, në fakt, prej më shumë se një viti jemi duke punuar edhe me asistencën e Bankës Botërore me qëllim hartimin e një reforme e cila, sigurisht që përpara se të marrë vendimmarrje, do të duhet që të diskutohet edhe bashkërisht dhe do të jetë një pikë që do ta diskutojmë në pikën e parë të pikës së ndryshme”.
Ministrja tha se gjithashtu në rendin e ditës së mbledhjes do të përfshihen edhe diskutimet për ndryshme mbi statusin e minatorit.
“Çështja e statusit të minatorëve dhe problematikat e lidhura me përfitimin 1% apo 0.6% për 1136 minatorët, e cila trajtohet në kuadër të ligjit të përkatës është një element që sigurisht ka marrë vëmendje dhe diskutime dhe në mbledhjet e mëparshme të Këshillit Kombëtar të Punës dhe besoj që sot do të kemi një diskutim shterues për këtë çështje”.
