Kadastra e Vlorës u zhvendos në Tiranë, reagon ASHK: Transferimi ka nisur 5 vite më parë, shërbimet janë të digjitalizuara dhe qytetarët nuk preken
Agjencia Shtetërore e Kadastrës (ASHK) ka reaguar sot zyrtarisht mbi debatin e ndezur prej dy ditësh për transferimin e ASHK të Vlorës në Tiranë. Punonjësit e Kadastrës së Vlorës nuk pranojnë të zhvendosen në Tiranë, po ashtu dhe qytetarët me frikën se do t’iu privohet shërbimi.
ASHK sqaron se riorganizimi i institucioneve në Tiranë ka nisur që prej vitit 2021, fillimisht me transferimin e Durrësit dhe Krujës, për të vazhduar me pas me Shkodrën, Kavajën, Kamëz-Vorë dhe Vlorën.
ASHK tha se të gjitha shërbimet sot janë të digjitalizuara përmes e-Albania dhe të avancuara, ndërsa sqaron qytetarët për përmirësim të shërbimit ndaj kërkesave të tyre.
“Agjencia Shtetërore e Kadastrës vijon punën për përmirësimin e shërbimeve ndaj qytetarëve, përmes thjeshtimit dhe lehtësimit të proceseve të brendshme institucionale. Prej kohësh, proceset kadastrale për disa drejtori vendore janë të lokalizuara në Tiranë, si pjesë e një modeli organizimi që synon optimizimin e burimeve njerëzore dhe proceseve administrative.
Të gjitha aplikimet kryhen online përmes portalit e-Albania dhe shërbimet përkatëse ofrohen gjithashtu në mënyrë elektronike, drejtpërdrejt në profilin e qytetarit aplikues. Gjithashtu, dokumentacioni i nevojshëm për trajtimin e aplikimit, përveç ngarkimit në sistemin elektronik, dërgohet përmes Postës Shqiptare pranë drejtorisë vendore, pavarësisht vendndodhjes së saj, për t’u administruar dhe bashkëlidhur me aplikimin e kryer në mënyrë të rregullt dhe të standardizuar.
Procesi i transferimit të drejtorive vendore në Tiranë ka nisur që në vitin 2021 me transferimin e Durrësit e Krujës, për të vijuar më tej edhe me drejtori të tjera si Shkodër, Kavajë, Kamëz -Vorë, dhe Vlorë. Në kuadër të rritjes së efikasitetit dhe të mirëadministrimit të proceseve të parashikuara nga legjislacioni në fuqi, edhe pjesa e mbetur e punonjësve në qytetin e Vlorës, po zhvendoset në Tiranë. Ky riorganizim synon përshpejtimin e trajtimit dhe unifikimin e praktikave të punës.
Falë digjitalizimit dhe përdorimit të sistemeve të avancuara, një jurist mund të përpunojë të gjithë dokumentacionin ligjor dhe një hartograf mund të kryejë reflektimet hartografike në sistemet përkatëse, pa qenë prezent fizikisht në territorin në të cilin ndodhet prona apo aplikuesi. Sigurojmë banorët e Vlorës se jemi të përkushtuar për të përmirësuar cilësinë e shërbimeve kadastrale, për të rritur ritmin e legalizimit të ndërtimeve informale si dhe për të përfunduar procesin e Regjistrimit Fillestar në zonat e mbetura në të gjithë qarkun e Vlorës.
Agjencia Shtetërore e Kadastrës mbetet e angazhuar që, përmes digjitalizimi të proceseve, të ofrojë shërbime gjithnjë e më të shpejta, transparente dhe të besueshme për çdo qytetar, në çdo drejtori vendore”- sqaroi ASHK.
Protesta e punonjësve në Vlorë
Tashmë prej 2 ditësh, punonjësit e Kadastrës së Vlorës kanë pezulluar punën në shenjë proteste. Lajmërimi për zhvendosjen deri në fund të muajit janar u ka ardhur më datë 23, vendim ky i firmosur nga drejtoresha e përgjithshme e Kadastrës Lorena Goxhobelli. Ndërkohë dje u shkarkua nga detyra dhe nëndrejtori i ASHK Vlorë, Sokol Shehaj, pasi iu bashkua peticionit të 55 punonjësve që kundërshton largimin.
Punonjësit e Kadastrës së Vlorës kërkojnë transparencë nga drejtoresha e përgjithshme, rishikim të vendimit dhe dialog institucional duke thënë se njoftimi ishte i papritur dhe se nuk i është sqaruar asnjë detaj i mëtejshëm.
Kadastra e Vlorës e cila ka ndërruar vazhdimisht drejtorët, do të shpërngulet nga qyteti bregdetar dhe do të transferohet në selinë qendrore në Tiranë pranë rrugës “Jordan Misja”. Vendimi është firmosur nga drejtoresha e përgjithshme e Kadastrës Lorena Goxhobelli më 23 janar dhe zhvendosja duhet të përfundojë deri në fund të këtij muaji.
Në fakt në Vlorë, kanë mbetur vetëm një pjesë e strukturave, pasi transferimi ka nisur prej vitit të kaluar, përfshirë drejtorin Albion Koçi dhe 25 punonjës të cilët prej muajsh po punojnë në drejtorinë e përgjithshme. Vetëm për 55 punonjës që janë në Vlorë do të duhet të lëvizin në kryeqytet.
Drejtuesi i fundit i Kadastrës së Vlorës, ishte Genc Deromemaj, një emër që ngjalli reagime, pasi më herët kishte qenë kandidat i PD-së për kryetar të bashkisë së Vlorës. Ai u dorëhoq nga detyra në nëntor të vitit 2025, ku qëndroi në krye të Kadastrës vetëm për 4 muaj.
Vendimi për të larguar Kadastrën e Vlorës në Tiranë vjen as një vit pasi institucioni ishte zhvendosur në një godinë të re në qytetin bregdetar, pranë ish-Shtëpisë së Oficerëve.
Në një peticion drejtuar kreut të ASHK-së për dijeni dhe kryeministrit Edi Rama, punonjësit e Kadastrës së Vlorës thonë se vendimi për transferimin është i pakonsultuar dhe bie ndesh me parimin e shërbimit pranë territorit. Në kërkesën e tyre theksohet se vendi i ushtrimit të punës është kusht thelbësor në kontratë e çdo ndryshim bëhet me pëlqimin e punëmarrësit. Ata citojnë kontratën e punës, ku theksohet se “punëmarrësi mund ta refuzojë transferimin në rast se vendi ku transferohet gjendet më shumë se 45 kilometra nga vendi aktual i punës”, ndërkohë që distanca nga Vlora në Tiranës është 155 kilometra.
“Një masë e tillë administrative, me ndikim të drejtpërdrejt në jetën personale, familjare dhe ekonomike të punëmarrësve, të cilët janë në numër të konsiderueshëm dhe mbi 95% e tyre kryefamiljarë, kërkon arsyetim të thelluar, analiza alternative dhe masa lehtësuese, të cilat mungojnë plotësisht në përmbajtjen e urdhrit”, shkruajnë punonjësit në peticionin ku kërkojnë shfuqizim të këtij vendimi.
I deleguari politik për qarkun e Vlorës, Bledi Çuçi, tha se nuk kishte dijeni për këtë vendim, por megjithatë në nisje të një takimi me fermerët, ndau një batutë për mediat.
“Për mua në Vlorë duhet të vijë edhe qeveria”, tha Çuçi.
Për opozitën, mbyllja e Zyrës së Kadastrës në Vlorë dhe transferimi i saj në Tiranë është një vendim antikushtetues pasi largon shërbimet nga qytetarët dhe detyron punonjësit të ikin nga puna për shkak se do duhet të udhëtojnë çdo ditë Vlorë-Tiranë
“Kjo mbyllje e menjëhershme synon centralizimin abuziv të shërbimeve, duke krijuar terren për korrupsion, vonesa të qëllimshme dhe pengesa artificiale për qytetarët e Vlorës. Firmëtarët duhet të mbajnë përgjegjësi ligjore dhe administrative për këtë vendim të paligjshëm dhe të dëmshëm”, reagoi deputetja demokrate e Vlorës, Ina Zhupa.
Vlora nuk është drejtoria e vetme që i ka kaluar shërbimet kadastrale në Tiranë, pasi edhe për Durrësin, Shkodrën, Kavajën, Krujën etj, shërbimet kadastrale ofrohen nga Tirana. Edhe për drejtorinë vendore të kadastrës Vlorë, shërbimet kadastrale ofroheshin nga Tirana prej kohësh pasi pjesa më e madhe e shërbimeve bëhen online.
Dhoma e Avokatëve del kundër
Dhoma Vendore e Avokatisë në Vlorë ka reaguar ndaj vendimit për zhvendosjen e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës nga qyteti i Vlorës drejt Tiranës, duke e cilësuar këtë veprim të papranueshëm, të njëanshëm dhe të dëmshëm për qytetin, profesionistët e drejtësisë dhe qytetarët e këtij qarku.
Sipas Dhomës, ky vendim nuk është një rast i izoluar, por pjesë e një politike sistematike të zbrazjes institucionale të Vlorës, e cila ka përfshirë edhe largimin e Gjykatës Administrative dhe Gjykatës së Apelit, duke e kthyer qytetin në një periferi institucionale pa peshë në hartën e drejtësisë shqiptare.
“Dhoma e Avokatisë Vlorë shpreh indinjatën dhe kundërshtimin e saj të fortë ndaj vendimit të fundit për zhvendosjen e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës nga qyteti i Vlorës drejt Tiranës, një vendim i papranueshëm, i njëanshëm dhe thellësisht i dëmshëm për qytetin, profesionistët e drejtësisë dhe qytetarët e këtij qarku.
Ky veprim nuk është një rast i izoluar, por vazhdim i një politike sistematike të zbrazjes institucionale të Vlorës, e cila ka arritur kulmin me largimin e Gjykatës Administrative dhe Gjykatës së Apelit, duke e shndërruar qytetin në një periferi institucionale pa peshë në hartën e drejtësisë shqiptare.
Largimi i institucioneve shtetërore nga Vlora përbën:
– Cenim të rëndë të aksesit në drejtësi dhe shërbime publike për mijëra qytetarë;
– Goditje direkte ndaj profesionit të avokatit, funksionimit të sistemit të drejtësisë dhe sigurisë juridike;
– Diskriminim territorial të hapur, që favorizon centralizimin ekstrem në Tiranë dhe braktis qytetet historike e strategjike të vendit.
Vlora, një qytet me peshë historike, juridike dhe kombëtare, nuk mund dhe nuk duhet të trajtohet si një qytet i dorës së dytë. Vendime të tilla, të marra pa konsultim me komunitetin juridik dhe pa asnjë analizë reale të pasojave, përbëjnë shkelje të parimeve të shtetit të së drejtës dhe decentralizimit administrativ.
Dhoma Vendore e Avokatisë Vlorë kërkon:
– Rishikimin e menjëhershëm dhe anulimin e vendimit për zhvendosjen e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës;
– Ndërprerjen e politikës së largimit të institucioneve nga Vlora;
– Rikthimin e funksioneve gjyqësore dhe administrative, të domosdoshme për një qytet të këtij dimensioni dhe rëndësie.
Nëse kjo prirje vazhdon, Dhoma Vendore e Avokatisë Vlorë rezervon të drejtën të ndërmarrë çdo veprim institucional dhe ligjor, në bashkëpunim me aktorë të tjerë vendorë dhe kombëtarë, për të mbrojtur interesin publik dhe dinjitetin e qytetit të Vlorës.
Vlora nuk do të heshtë dhe nuk do të pranojë të zhvishet nga institucionet e saj”- deklaroi Dhoma e Avokatisë.
