U inaugurua për fushatë pa kolaudim, tuneli i Murrizit ngre pikëpyetje për sigurinë

Pisk
By
Pisk
8 Min Read

Nga Vladimir Karaj/ Në 13 mars të vitit të kaluar, kryeministri Edi Rama shpalli me mburrje se “lufta me malin” ishte fituar dhe se tuneli i Murrizit, pjesë e aksit të njohur si Rruga e Arbrit që lidh Tiranën me Dibrën, do të hapej për kalim normal.

“Syri i keq më në fund plasi, se te ai tunel u mblodh e gjithë energjia negative dhe gjeologjia e atij tuneli ishte një tmerr,” deklaroi Rama.

Të nesërmen, më 14 mars, tuneli u hap për qarkullim me ceremoni dhe muzikë.

Por ende pa kaluar 10 muaj, përdoruesit e rrugës filluan të dyshonin nëse tuneli kishte qenë vërtet gati për hapje.

Deputetja e Partisë Demokratike, Denisa Vata, e cila e përdor vazhdimisht tunelin e Murrizit për t’u kthyer në shtëpi nga Tirana, tha se në një nga udhëtimet vëreu plasaritje dhe tavanin që pikonte. E shqetësuar për sigurinë, Vata filmoi krisjet dhe bëri publike pamjet.

Në përgjigje të shqetësimeve të ngritura nga deputetja Vata, Autoriteti Rrugor Shqiptar, ARRSH i konfirmoi përmes një shkrese drejtuar Kuvendit në fillim të janarit se pjesa në fjalë e rrugës së Arbrit ishte ende pa kolaudim, duke ngritur një valë të re alarmi.

“…Ju informojmë se “Tuneli i Murrizit”, pjesë e “segmentit nr. 3″ të territorit të “Rrugës së Arbrit”, është segment që nuk është dorëzuar ende pranë ARRSH-së për ndjekjen e procedurave të kolaudimit,” thuhet në shkresën e ARRSH drejtuar Vatës.

Vata i tha BIRN se mbeti e skandalizuar nga ky fakt.

“Kryeministri bashkë me zonjën Balluku e kanë inauguruar me daulle dhe festë edhe pse nuk është i kolauduar,” tha ajo, duke shtuar se inaugurimi ishte bërë për fushatë dhe se ishte ende e pasqaruar për sigurinë e tunelit.

Sipas inxhinierit Xhevahir Ngjeqari, hapja e tunelit pa aktin e kolaudimit përbën një shkelje të rëndë të ligjit.

“Tuneli nuk duhej të ishte hapur pa kolaudim. Edhe një kotec pulash nuk hapet pa kolaudim, sepse ka të bëjë me sigurinë,” tha Ngjeqari.

Drejtori i ARRSH-së, Ami Kozeli këmbënguli për BIRN se tuneli ishte i sigurt, pavarësisht mungesës së aktit të kolaudimit.

“Absolutisht po. Nuk ka asnjë problem (të sigurisë),” tha Kozeli, i cili nuk iu përgjigj pyetjes nëse kishte një shkresë apo vendimarrje që garantonte sigurinë e tunelit.

Një përfaqësues i kompanisë koncesionare “Gjoka 87” i tha BIRN se defektit vinin për shkak të punimeve në tunelin paralel të sigurisë, pa e vënë në diskutim sigurinë e tunelit. Por ai pranoi në njëfarë mënyre se hapja kishte qenë e parakohshme.

“Kishte presion nga njerëzit për hapjen e tunelit,” tha ai, duke shtuar: “ne jemi më të qetë të punojmë me tunel të mbyllur”.

Inaugurim pa kolaudim

Foto të plasaritjeve në tunel, të publikuara nga deputetja e Partisë Demokratike, Denisa Vata.

Ndërtimi i rrugës prej 54 kilometrash që lidh Tiranën me Dibrën filloi në vitin 2018, pasi kompania “Gjoka Konstruksion” fitoi koncesionin me ofertën prej 33.6 miliardë lekësh.

Projekti parashikon ndërtimin e një rruge me dy korsi, e cila kalon në një seri me gjashtë tunele dhe dy ura të larta. Por vepra kryesore e projektit, tuneli 3.8 kilometra i gjatë i Qafës së Murrizit, ngeci për shkak të problemeve.

Rruga ishte planifikuar që të përfundonte në prill 2022, por për shkak të problemeve në ndërtimin e tunelit të Murrizit, Ministria e Infrastrukturës e zgjati afatin për kompaninë koncesionare “Gjoka 87” disa herë radhazi. Marrëveshja e fundit mes palëve përcaktonte se punimet duhej të mbaronin në maj 2025.

Dy muaj përpara përfundimit të këtij afati, tuneli u hap për qarkullim dhe kryeministri e shpalli atë të përfunduar. Por palët pranojnë tashmë se punimet në rrugë nuk kanë përfunduar.

I pyetur për mungesën e kolaudimit, kreu i ARRSH, Ami Kozeli i tha BIRN se ky proces mund të bëhej vetëm pas përfundimit të segmentit.

“E kuptoj politikën, por kolaudimi nuk ka të bëjë me aksesueshmërinë e aksit”, tha ai duke iu referuar qëndrimeve të Vatës. Sipas tij, kolaudimi bëhet kur përfundojnë të gjitha punimet.

“Aty ka ende punime të papërfunduara, por kjo nuk e bën të paaksesueshëm,” këmbënguli Kozeli.

Edhe përfaqësuesi i kompanisë i tha BIRN në kushtet e anonimatit se punimet nuk kishin përfunduar ende.

“Rruga e Arbrit është e ndarë në disa segmente; segmenti tre, për shkak se tuneli ndihmës nuk ka mbaruar akoma, nuk mund të merret në dorëzim,” tha ai, ndërsa shpjegoi se plasaritjet dhe problemet në tunelin e hapur ishin pikërisht pasojë e punimeve në vijim.

“Është presioni që vjen nga tubi paralel, nga puna që po bëhet në tunelin ndihmës dhe ka presione ekstreme dhe ka dhënë defekte në asfalt. Nuk kanë rrezik strukturor,” theksoi ai.

Dyshimet mbi sigurinë

Tuneli i Murrizit nuk është i pari që vihet në përdorim në këtë mënyrë. Rrugë të ngjashme janë inauguruar dhe mbyllur pas inaugurimit për shkak të nxitimit, kryesisht të lidhur me ciklet e fushatave elektorale.

Për specialistët e fushës, tuneli nuk duhej të ishte hapur pa përfunduar të gjitha punimet në mënyrë që jetë plotësisht i sigurt për përdoruesit.

Inxhinieri Xhevahir Ngjeqari i tha BIRN pasi pa pamjet e dëmeve se duhet bërë një analizë e qartë se çfarë janë dhe sa të rënda paraqiten.

“Probleme të tilla ndodhin në ndërtim dhe janë të llogaritura, por duhet të kuptohet nëse janë rënie të suvasë apo janë dëme në strukturë. Nëse është thjesht suvaja, punë e madhe, por nëse janë dëme në strukturë është problem,” tha Ngjeqari.

Megjithatë, ai është i mendimit se kolaudimi është një akt thelbësor dhe se hapja e tunelit në mungesë të tij nuk duhej të kishte ndodhur.

“Kush e mban përgjegjësinë ligjore nëse ndodh diçka në tunel,” pyet ai, ndërsa këmbëngul se ARRSH duhet të japë garanci me shkrim se tuneli është i sigurt.

Përfaqësuesi i kompanisë “Gjoka 87” këmbënguli se tuneli është i sigurt dhe se ata bënin matje çdo tre ditë me instrumente të posaçme për të kuptuar situatën.

Sipas tij, tuneli ndihmës përfundon në shkurt nëse nuk ka të papritura dhe pas kësaj do të bëhen ndërhyrjet për riparimin e dëmtimeve, duke devijuar qarkullimin.

I pyetur nëse tuneli kishte një dokument që jepte dritë jeshile për të qarkulluar, përfaqësuesi i kompanisë tha se nuk ishte në dijeni, por se “patjetër duhet të ketë”. /Marrë nga Reporter.al

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *